Si Ndikon Sheqeri Në Dhëmbët Tuaj?

Ndryshe nga sa mund të mendoni, shëndeti oral është shumë më tepër sesa thjesht larja e dhëmbëve dy herë në ditë edhe pse ky është hapi kryesor. Përveç kësaj, vizitat e rregullta dentare janë gjithashtu të rëndësishme nëse dëshironi të mbani dhëmbët tuaj sa më të shëndetshëm. Në këtë mënyrë dentisti mund ta zbulojë problemin dhe ta trajtojë atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Madje, do të diskutojmë edhe efektin që dieta ka në dhëmbët tuaj, duke u fokusuar kryesisht tek sheqeri. Siç mund ta keni dëgjuar shpesh herë sheqeri është i dëmshëm për dhëmbët tuaj, sepse bakteret e dëmshme mund të lulëzojnë në këto mjedise. Duke shmangur ose kufizuar konsumin e sheqerit, ju do të parandaloni problemet e mëtejshme orale dhe do të zvogëloni numrin e baktereve në gojën tuaj, gjë që do t’i mbajë dhëmbët tuaj të pastër dhe të shëndetshëm.

Formimi i kaviteteve te dhembeve prej sheqerit

Çfarë Janë Kavitetet?

Prishja e dhëmbëve shkakton formimin e vrimave të vogla në sipërfaqen e dhëmbëve tuaj, të cilat përparojnë në kavitete në shtresat më të thella të dhëmbëve. Edhe pse kavitetet e vogla mund të mos duken si një problem i madh, nëse nuk trajtohen në kohën e duhur, ato mund të shkaktojnë infeksione, dhimbje dhëmbësh si dhe humbjen e dhëmbëve në të ardhmen.

Veçanërisht në fazat e hershme, shumica e njerëzve nuk janë në dijeni se kanë kavitete në dhëmbët e tyre dhe prandaj theksohet shumë rëndësia e kontrolleve të rregullta dentare. Kështu do të jeni në gjendje të merreni me këtë problem përpara se ato të shkaktojnë probleme më serioze në shëndetin tuaj oral.

Nga Se Shkaktohen Kavitetet?

Keni menduar ndonjëherë se nga se shkaktohen kavitetet në fillim? Siç thamë dhe më parë, nuk është vetë sheqeri ai që do të dëmtojë dhëmbët tuaj, por bakteret që ushqehen në të. Këto baktere që formohen janë rezistente ndaj pështymës dhe larjes dhe njihen gjithashtu si pllakë dentare. Nëse nuk i lani rregullisht dhëmbët tuaj dhe nuk mirëmbani shëndetin tuaj oral, bakteret do të vazhdojnë të rriten dhe do të fillojnë të ushqehen me smaltin e dhëmbit tuaj.

Këto acide shkaktojnë vrima të vogla në smaltin tuaj ndërsa vazhdojnë të ushqehen prej tij. Pas kësaj, bakteret mund të hyjnë në këto hapësira dhe të vazhdojnë me procesin. Dentina, e cila është më e butë dhe më e lehtë për të depërtuar se smalti, është shtresa tjetër e materialit të dhëmbit që ata në fund do të arrijnë dhe dëmtojnë. Kjo do të shkaktojë dhimbje të rëndë dhe ndjeshmëri të dhëmbit që do të avancojë deri në kockën e nofullës me kalimin e kohës.

Sheqeri ofron furnizimin ushqimor që bakteret kërkojnë dhe vetëm një shtresë e vogël e tij do ta bëjë punën duke e përshpejtuar rritjen e tyre dhe duke e bërë më të lehtë formimin e pllakës. Gjasat e formimit të kavitetve dhe prishjes së dhëmbëve rriten me sasinë e sheqerit të konsumuar.

Fazat e krijimit te kaviteteve te dhembeve

Fazat E Zhvillimit Të Kaviteteve Dhe Kariesit

Një pjesë e rëndësishme e procesit të prishjes së dhëmbëve është pllaka dentare, e cila është një film ngjitës, pa ngjyrë që mbulon sipërfaqen e dhëmbëve dhe përbëhet nga grimca ushqimore, pështymë dhe baktere të dëmshme.

Ky proces ndodh kur dhëmbët nuk pastrohen rregullisht dhe me kalimin e kohës do të ngurtësohen duke u formuar në gurë. Pasi të krijohet kjo shtresë, bakteret do të mbrohen më shumë dhe do të jetë më e vështirë për t’u hequr. Për më tepër, ne do të shpjegojmë më në detaje fazat e zhvillimit të kaviteteve dhe kariesit:

Faza 1: Demineralizimi Fillestar

Smalti është lloji i indit që përbën shtresën e jashtme të dhëmbëve tuaj, i cili është indi më i fortë në trupin tuaj dhe përbëhet kryesisht nga minerale. Megjithatë, smalti i dhëmbit fillon t’i humbasë këto minerale kur ekspozohet ndaj acideve që krijojnë bakteret e pllakës. Si rezultat i kësaj dhëmbët tuaj mund të zhvillojnë njolla të bardha të cilat nuk hiqen lehtë. Kjo është një nga shenjat e para që tregon humbjen e mineraleve. 

Faza 2: Prishja E Smaltit

Pasi procesi nuk ndalet dhe vazhdon të zhvillohet, smalti do të prishet më tej duke shkaktuar më shumë dëme tek dhëmbët. Gjatë kësaj faze do të vini re se ngjyra e njollave e cila është e bardhë do të kthehet në kafe ose të errët. Kariesi dentar, është formimi i vrimave të vogla që mund të ndodhin në dhëmbët tuaj si rezultat i erozionit të smaltit. Pasi të jenë formuar do të duhet të plotësohen në mënyrë profesionale nga një dentist me përvojë.

Faza 3: Prishja E Dhëmbëve

Indi nën smalt quhet dentinë. Për shkak se është më i butë se smalti, dëmtimi acidik mund t’i bëjë kësaj shtrese dëm më të madh. Si rezultat, kur prishja dentare arrin në dentinë, ajo përparon shumë më shpejt.

Për më tepër, dentina ka tuba që lidhen me nervat e dhëmbit. Kjo është arsyeja pse mund të filloni të ndiheni të këni më shumë ndjeshmëri kur prishja e dhëmbëve ndikon në dentinë. Kjo mund të vihet re veçanërisht kur konsumoni vakte ose pije të nxehta ose të ftohta.

Faza 4: Dëmtimi I Pulpit Të Dhëmbit

Pulpi i dhëmbit është shtresa më e thellë e tij e cila ka enë gjaku dhe nerva që mbështesin shëndetin e dhëmbit. Nervat e pulpës furnizojnë gjithashtu dhëmbin me ndjeshmërinë e nevojshme. Në këto raste, pulpa mund të acarohet dhe të fillojë të fryhet sa herë që dhëmbi pëson ndonjë lëndim. Presioni mbi nervat mund të rezultojë nga indet përreth në dhëmb që nuk janë në gjendje të zmadhohen për të akomoduar ënjtjen duke shkaktuar dhimbje.

Faza 5: Abscesi

Bakteret mund të depërtojnë në pulpën e dhëmbëve ndërsa prishja përparon, duke çuar në infeksion. Abscesi, i cili është një xhep qelbi që formohet në bazën e dhëmbit tuaj, mund të rezultojë nga rritja e inflamacionit në dhëmbët tuaj duke shkakturar një problem të rëndë i cili shkon deri në nofull. Temperatura, nyjet limfatike të zmadhuara në qafë dhe ënjtja e mishrave të dhëmbëve, faqeve ose nofullës janë disa simptoma të tjera të tilla që mund të jenë gjithashtu të pranishme.

Trajtimi i abscesit të dhëmbit duhet marrë sa më shpejt që të jetë e mundur pasi infeksioni mund të përhapet në pjesë të tjera të kokës dhe qafës, duke përfshirë kockat e nofullës. Në disa raste trajtimi mund të përfshij nxjerrjen e dhëmbit të prekur.

Shendeti dentar dhe parandalimi i kaviteteve

Si Mbrohet Goja Juaj Nga Prishja E Dhëmbëve

Goja juaj është e përgatitur për t’ju ndihmuar të luftoni bakteret, por do t’ju duhet të mësoni se si të kujdeseni për të për të parandaluar çdo dëm të mundshëm. Disa nga proceset që bën goja juaj për të mbrojtur dhëmbët tuaj nga prishja mund të jenë:

Pështyma

Pështyma juaj vepron si një pengesë për të mbajtur grimcat e ushqimit dhe bakteret larg dhëmbëve tuaj dhe largon disa mikroorganizma të padëshiruar dhe grimca ushqimore nga dhëmbët me çdo gëlltitje.

Nga ana tjetër, vaktet që ne konsumojmë sot mund të ngjisin mjaft mirë pas dhëmbëve tuaj siç janë akullorja, soda, frutat e thata dhe madje edhe qumështi. Këto ushqime mund të jenë mjaft të vëshitra për tu hequr vetëm nga pështyma. Rekomandohet shumë të shmangni konsumimin e sheqerit sa më shumë që të mundeni dhe kur e konsumoni mos harroni të lani dhëmbët.

Remineralizimi

Acidet shpërbëjnë përmbajtjen minerale të smaltit të dhëmbëve tuaj, duke e bërë atë të brishtë dhe më të lehtë për t’u depërtuar. Pështyma, nga ana tjetër, furnizon një shumëllojshmëri mineralesh që ndihmojnë smaltin tuaj të rifitojë përmbajtjen e tij minerale gjatë gjithë procesit të remineralizimit. Për të forcuar smaltin e dhëmbëve, ky proces përdor kalcium dhe fosfate.

Ju gjithashtu duhet të dini se fluori është shumë i rëndësishëm për këtë proces dhe mund të gjendet në një shumëllojshmëri të gjerë pastash dhëmbësh, shpëlarës goje dhe madje edhe në burimet natyrale të ujit. Gjithashtu ka potencialin të përshpejtojë procesin e remineralizimit dhe të neutralizimit të acideve bakteriale.Shmangia e ushqimeve që përshpejtojnë prishjen e dhëmbëve është mënyra më e mirë për të ndihmuar në restaurimin e smaltit të dhëmbëve tuaj.

Si Ndikon Sheqeri Në Dhëmbët Tuaj?

Siç thamë dhe më parë, sheqeri në vetvete nuk do t’i dëmtojë dhëmbët tuaj direkt, por ai krijon një mjedis të shkëlqyer për ushqimin e baktereve. Duhet të dini se këto baktere gjithashtu kanë një funksion të dobishëm pasi ato thyejnë ushqimin para se të arrijë në stomakun tuaj.

Megjithatë, kur marrja e sheqerit është në nivele të larta, ato do të shkaktojnë shumë dëm tek dhëmbët. Ato prodhojnë acid të tepërt, i cili fillon të gërryej smaltin e dhëmbëve tuaj duke rezultuar në kavitet dhe prishje të tyre. Bakteret kanë më shumë ushqim për të konsumuar kur hani më shumë sheqer, që u mundëson atyre të përhapen dhe të zhvillohen shpejt.

Duhet gjithashtu të dini se jo vetëm ëmbëlsirat ose çokollatat, por edhe sheqernat natyrore si mjalti dhe shurupi do të shkaktojnë dëm në dhëmbët tuaj. Edhe frutat e konsumuara në sasi të mëdha dhe për një kohë të gjatë gjithashtu do të shkaktojnë dëm në shëndetin tuaj oral.

Ndikimi i sheqerit tek shendeti dentar dhe krijimi i kaviteteve

A Mund Të Shkaktojë Sheqeri Sëmundje Të Mishrave Të Dhëmbëve?

Shkaku bazë i sëmundjes së mishrave të dhëmbëve, e njohur gjithashtu si periodontiti, është i njëjti si ai i prishjes së dhëmbëve: akumulimi i pllakës që në fund zbret në inde të ndjeshme të mishrave të dhëmbëve tuaj. Bakteret mund të shumëfishohen dhe të përhapen shpejt sapo të arrijnë në rrënjën e dhëmbëve tuaj, që në fund mund të rezultojë në hapësira në mishrat tuaj të dhëmbëve. Periodontiti mund të shkaktojë dhimbje dhe gjakosje, rënie të dhëmbëve dhe dëmtim të kockës së nofullës. Ngjashëm me dëmtimin e dhëmbëve, bakteret do të vazhdojnë të rriten si përgjigje ndaj konsumit të sheqerit.

Si Të Mbroni Dhëmbët Tuaj Nga Sheqeri

Duke praktikuar higjienën e duhur dentare dhe duke mu kujdesur për dietën tuaj ju mund të shmangni sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe prishjen e tyre. Metoda të shumta për përmirësimin dhe mënyrat si të kujdeseni për shëndetin tuaj oral janë shpjeguar mirë në këtë artikull.

Megjithëse goja juaj ka mbrojtje natyrale për të ruajtur forcën dhe gjendjen e dhëmbëve dhe mishrave të dhëmbëve, ju prapë mund ta ndihmoni në këtë proces. Duke marrë masat e nevojshme, ju mund të parandaloni infeksionet e gojës dhe të ruani një ekuilibër të shëndetshëm të mikroorganizmave oral. Disa nga këshillat bazë që do t’ju ndihmojnë të mbani gojën në gjendje sa më të shëndetshme janë:

Larja Me Furçë

Larja me furçë dhe pastrimi me fill dentar janë mënyrat më të mira mbrojtëse që do t’ju ndihmojnë të mbani dhëmbët tuaj të shëndetshëm dhe të luftoni kundër baktereve të dëmshme që do të shkaktohen nga sheqeri. Në këtë mënyrë ju do të hiqni burimin ushqimor të baktereve dhe ata nuk do të kenë asgjë për të ushqyer. Siç e dini, është mirë që të lani dhëmbët të paktën dy herë në ditë dhe gjithashtu të përdorni fillin dentar pas çdo vakti.

Megjithatë, kini kujdes që të mos e teproni me larjen, sepse kjo do të dëmtojë më shumë dhëmbët tuaj. Ju gjithashtu duhet të përdorni një furçë dhëmbësh me qime të buta, sepse ato të forta do të gërvishtin smaltin e dhëmbëve dhe do të bëjnë që mishrat tuaja të dëmtohen dhe të dal gjak.

Shmangni Kontaktin Me Sheqerin

Edhe pse është mjaft e vështirë të mbani sheqerin larg gjatë gjithë kohës, sepse pothuajse çdo gjë ka sheqer në të, mundohuni të pastroni çdo sasi sheqeri nga goja sa më shpejt që të mundeni duke larë dhëmbët.

Ushqimet më të këqija që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve janë ëmbëlsirat dhe ushqimet që mbeten në gojë për një kohë të gjatë. Frutat e thata, ushqimet e ngjitëse dhe madje edhe qumështi mund të qëndrojnë në gojën tuaj për orë të tëra, duke u siguruar baktereve të gojës mjaft ushqim për të lulëzuar. 

Nëse konsumoni këto lloj ushqimesh, përpiquni ta lani gojën me furçë ose përdorni gargarë për të hequr qafe sa më shumë sheqer që të mundeni. Përtypja e çamçakëzëve pa sheqer është një tjetër mënyrë e shkëlqyer për të hequr qafe çdo mbetje të tepërt ushqimore nëse nuk keni mundësi të lani dhëmbët.

Inflamacioni i mishrave te dhembeve nga krijimi i kaviteteve

Shenjat Paralajmëruese Të Prishjes Së Dhëmbëve Dhe Sëmundjes Së Mishrave

Në shumicën e rasteve shenjat e prishjes së dhëmbëve nuk do të kuptohen deri kur problemi të bëhet serioz dhe të ketë nevojë për kujdes nga dentisti. Si me çdo problem tjetër mjekësor, sa më shpejt të trajtohet, aq më mirë. Për t’ju ndihmuar të vini re shenjat e para, ne kemi përmendur disa prej tyre më poshtë. Kjo do t’ju ndihmojë ti kurseni vetes dhimbje dhe parehati. 

  • Mishrat e fryrë ose të butë janë një nga shenjat më të zakonshme të problemeve dentare duke përfshirë këtu dhe prishjen e dhëmbëve.
  • Mishrat e dhëmbëve rrjedhin gjak kur hani diçka ose përdorni fill dentar.
  • Kur vini re se mishrat e dhëmbëve fillojnë të tërhiqen prej tyre.
  • Dhimbje dhe ndjeshmëri e tepërt e dhëmbëve kur konsumoni ushqime dhe pije të nxehta ose të ftohta.
  • Kur vini re se goja juaj vazhdon të mbaj erë të keqe edhe pasi i lani dhëmbët dhe i pastroni me fill dentar.

 

Mbroni Buzëqeshjen Tuaj Sa Më Shumë Që Të Mundeni

Tanimë e dini se sasia e sheqerit që konsumoni ka një ndikim të madh në shëndetin tuaj dentar pasi sheqeri nxit rritjen e mikrobeve, të cilat gërryejn smaltin e dhëmbëve tuaj duke rezultuar në prishje të dhëmbëve.

Shmangia e ushqimeve me sheqer të tepruar dhe kujdesi i dhëmbëve duke i larë dhe pastruar me fill dentar rregullisht janë hapat e parë që duhet të merrni parasysh. Kontrollet e rregullta dentare janë gjithashtu shumë të rëndësishme kur bëhet fjalë për mbajtjen e shëndetit tuaj oral në gjendje të mirë dhe parandalimin e problemeve të mëtejshme.

Nëse jetoni në Shqipëri ose po udhëtoni nga vende të tjera dhe jeni të shqetësuar se si konsumimi i sheqerit ndikon në dhëmbët tuaj, rezervoni një konsultë me stafin dhe ekipin tonë të specializuar për kujdesin dentar këtu tek City Dental Clinic në Tiranë.

Tabela Përmbledhëse