Kavitetet: Procesi I Formimit Të Tyre Dhe Metodat E Parandalimit

Kavitetet janë një problem i zakonshëm dentar që shumica e njerëzve do t’i përjetojnë në një pikë të jetës së tyre. Kryesisht ato njihen si vrima të vogla në dhëmbë që krijohen nga konsumimi i ushqimeve të pasura me sheqer dhe niseshte, por cilat janë fazat e formimit të tyre dhe si mund të parandalohen ato? Në këtë blog ne do të shpjegojmë disa nga faktorët që kontribuojnë në formimin e kaviteteve, dhe më pas dhe shenjat që tregojnë praninë e tyre dhe metodat më efektive të trajtimit.

Procesi i formimit te kaviteteve te dhembeve

Procesi I Formimit Të Kaviteteve Hap Pas Hapi

Kryesisht, duhet të dini se kavitetet formohen për shkak të ndërveprimit midis akumulimit të ushqimit, baktereve dhe në disa raste edhe shtrembërimit të dhëmbëve. Për më tepër, ne do të shpjegojmë se si secili prej këtyre faktorëve kontribuon në zhvillimin e këtij problemi dhe fazat e formimit të tyre:

Bakteret Orale Dhe Formimi I Plakave 

Formimi i kaviteteve fillon me praninë e baktereve në gojë. Këto baktere ushqehen me karbohidratet, sheqernat dhe acidet që gjenden në ushqimet që ne konsumojmë çdo ditë. Nëse nuk keni një rutinë të rregullt të higjienës orale, ky grumbullim çon në formimin e pllakave, një shtresë ngjitëse që mbulon smaltin e dhëmbëve.

Prodhimi I Acideve Dhe Erozioni I Smaltit 

Acidet e prodhuara nga bakteret e rrezikshme dëmtojnë sipërfaqen e dhëmbëve duke u zhvilluar në pllakë. Këto acide sulmojnë shtresën e jashtme mbrojtëse të dhëmbëve, të quajtur smalt. Kur dhëmbi fillon të humbas mineralet thelbësore, hyn në një proces të quajtur demineralizim. Ky proces ndodh kryesisht nëse nuk keni një rutinë të shëndetshme të higjienës orale.

Formimi I Kaviteteve 

Me gërryerjen e smaltit, fillojnë të krijohen vrima të vogla ose zona të dobëta në sipërfaqen e dhëmbit. Këto zona janë fazat fillestare të kaviteteve. Nëse procesi nuk ndalet dhe problemi nuk trajtohet në kohën e duhur, ato mund të zhvillohen në kavitete më të thella dhe më serioze.

Zgjerimi I Kaviteteve 

Pasi të ketë filluar procesi i formimit të kaviteteve, me kalimin e kohës vrimat do të vazhdojnë të zgjerohen dhe thellohen. Kjo do të shkaktojë probleme të mëtejshme në shëndetin oral pasi këto hapësira bëhen vatër për ngecjen e grimcave të ushqimit.

Ushqimet qe shkaktojne prishjen e dhembeve

Cilat Ushqime Shkaktojnë Më Shumë Kavitete?

Dieta juaj dhe shëndeti oral kanë një lidhje mjaft të fortë me njëra tjetrën, dhe kjo lidhje vihet re veçanërisht kur bëhet fjalë për ushqimet dhe pijet me sheqer. Por përveç sheqerit, ka dhe disa faktorë të tjerë të rëndësishëm që duhen marrë parasysh nëse doni të shmangni formimin e kaviteteve.

Një aspekt kyç që të gjithë duhet të kenë parasysh është se shpeshtësia e konsumimit të sheqerit është më e rëndësishme sesa sasia. Sa herë që hani diçka me përbërje sheqeri, ushqeni bakteret që shkaktojnë kavitetet dhe prodhojnë acide të dëmshme. Kjo do të thotë se konsumimi i pijeve të gazuara ose karameleve gjatë ditës është një nga gjërat më të dëmshme për shëndetin e dhëmbëve tuaj. Megjithatë, ne e kuptojmë që mund të jetë e vështirë të shmangni plotësisht këto ushqime, prandaj, për të ndihmuar në parandalimin e problemeve dentare, është shumë e rëndësishme të lani dhëmbët menjëherë pasi të hani.

Përveç ëmbëlsirave dhe pijeve të ëmbla, ushqimet e përpunuara gjithashtu mund të rrisin rrezikun e kaviteteve prandaj kufizimi i konsumit të tyre është e vetmja mënyrë për të shmangur formimin e kaviteteve. Nëse nuk mund të lani dhëmbët pas ngrënies, shpëlani gojën me ujë të ftoftë për të larguar sa më shumë mbetje ushqimore të jetë e mundur.

Disa Faktorë Të Tjerë Që Rrisin Rrezikun E Formimit Të Kaviteteve

Përveç konsumimit të ushqimeve dhe pijeve me sheqer, ka dhe disa faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë në formimin e kaviteteve. Disa nga më të zakonshmet përfshijnë:

  • Tharja e gojës: Pështyma vepron si një mbrojtës i dhëmbëve tuaj që do të thotë se nëse prodhimi i saj bie, dhëmbët tuaj mund të bëhen më të prekshëm ndaj prishjes.
  • Sëmundje të ndryshme: Disa sëmundje, të tilla si refluksi i acidit ose çrregullimet e të ngrënit, mund t’ju bëjnë më të prirur për të formuar kavitete.
  • Gjenetika: Disa individë janë më të predispozuar për të formuar kavitete për shkak të historisë së tyre genetike. Kjo ndodh sepse krahasuar me shumicën e individëve, dhëmbët e tyre janë më të dobët.
  • Disa medikamente: Përdorimi i disa ilaçeve me recetë mund të shkaktojë një ulje të prodhimit të pështymës, gjë që mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin tuaj oral.

Shenjat e pare te kaviteteve

5 Shenja Që Tregojnë Formimin E Një Kaviteti

Para se kaviteti të formohet ose nëse po avancon do të vini re disa simptoma të cilat mund të jenë: 

Ndjeshmëria Ndaj Të Nxehtit Dhe Të Ftohtë

Ndjeshmëria e vazhdueshme pas konsumimit të ushqimeve të nxehta ose të ftohta mund të tregojë prani të kariesit dentar. Dentina, shtresa e fortë e indit nën smaltin, mund të preket kur smalti i dhëmbëve tuaj fillon të gërryhet. Dentina përbëhet nga disa tuba të vegjël dhe të zbrazët. Ushqimet që janë të nxehta, të ftohta, ngjitëse ose me përmbajtje acidi mund të stimulojnë qelizat dhe nervat brenda dhëmbëve tuaj kur nuk ka mjaftueshëm smalt për të mbrojtur dentinën. Si rezultat i kësaj, dhëmbët tuaj do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm dhe ndryshimit të temperaturave. 

Dhimbje E Vazhdueshme Dhëmbi

Dhimbja e vazhdueshme e dhëmbit është një tjetër shenjë që tregon formimin ose përkeqësimin e një kaviteti dhe konsiderohet si një nga më të zakonshmet. Kjo dhimbje mund të jetë e papritur dhe e mprehtë ose si rezultat i diçkaje që hani. Ajo mund të ndihet në një zonë specifike ose në të gjithë gojën dhe bëhet më e fortë kur kafshoni.

Njolla Në Dhëmb

Njollat e bardha mund të jenë shenja fillestare të njollosjes së dhëmbëve tuaj. Ato mund të errësohen ndërsa kariesi i dhëmbit vazhdon të përparojë. Kjo zakonisht prek sipërfaqen e sipërme të dhëmbit dhe mund të jetë ngjyrë kafe, e zezë ose e bardhë. Këto njolla padyshim do të jenë shumë të dukshme edhe për të tjerët.

Vrima Ose Gropa Në Dhëmbët Tuaj

Ndërsa kaviteti përparon, njollat e bardha do të krijojnë një vrimë në dhëmbët tuaj që do të jetë mjaft e dukshme. Gjithashtu do të jeni në gjendje ta ndjeni hapësirën nëse kaloni me gjuhën tuaj mbi të. Megjithatë, ka dhe disa raste të tjera kur vrima do të jetë midis dhëmbëve dhe nuk do të jetë e dukshme apo e arritshme.

Nëse po përjetoni ndonjë nga këto shqetësime, ju rekomandojmë të telefononi dentistin tuaj dhe të caktoni një takim. Këto vrima ose gropa janë një shenjë e qartë e formimit të një kaviteti, ndaj është e rëndësishme të gjehet trajtimi i duhur në kohën e duhur.

Trajtimi per kavitetet e dhembeve

Si Trajtohen Kavitetet?

Trajtimi i kaviteteve varion nga rasti në rast dhe varet kryesisht nga ashpërsia dhe vendndodhja e tyre. Është e rëndësishme të kuptoni se kur kavitetet kapen herët, trajtimi është më i lehtë dhe dhimbja është minimale. Në rastet e neglizhencës, kavitetet mund të shkaktojnë më shumë dhimbje dhe procedurat restauruese do të jenë më të kushtueshme.

Në rastet kur kavitetet nuk janë shumë serioze, shumica e dentistëve do të aplikojnë një trajtim me fluor. Nëse kapet herët, fluori madje mund të ndihmojë në rikthimin e smaltit të dhëmbit dhe parandalimin e përparimit të kaviteteve. Kur kalon fazat fillestare, dhëmbi do të ketë nevojë të trajtohet me mbushje. Për të mbushur vrimat e krijuara do të rekomandohet amalgama dentare, porcelani ose rrëshira.

Nëse prishja është shumë e rëndë, mund të jetë e nevojshme vendosja e një kurore. Kurorat mbulojnë pjesën e sipërme të dhëmbit, duke e mbrojtur atë nga acidet dhe mikrobet e jashtme. Në raste më të avancuara kur prishja depërton deri në pulpën e brendshme të dhëmbit, mund të jetë e nevojshme terapia e kanalit të rrënjës. Kjo procedurë përfshin heqjen e pulpës së infektuar dhe restaurimin e dhëmbit të dëmtuar. Pasoja më e keqe që sjellin kavitetet është prishja e të gjithë strukturës së dhëmbit duke e bërë heqjen e tij të domosdoshme. Për të zëvendësuar hapësirën e lënë i vetmi trajtim i përshtatshëm do të jetë implanti dentar. 

Si Mund Të Parandaloni Formimin E Kaviteteve?

Disa nga faktorët më të rëndësishëm për t’u marrë parasysh që do t’ju ndihmojnë të mbroni dhëmbët tuaj nga formimi i kaviteteve përfshijnë:

  • Mos neglizhoni kontrollet e rregullta dentare çdo 6 muaj.
  • Mbani një rutinë të rregullt larjeje, duke përfshirë përdorimin e pastës së dhëmbëve me fluor dhe një furçë dhëmbësh me qime të buta. Lani dhëmbët me lëvizje rrethore për të paktën dy minuta, një herë në mëngjes dhe një herë para se të flini.
  • Mos harroni të përdorni fillin dentar për të hequr grimcat e mbetura ushqimore ose bakteret e dëmshme.
  • Pini shumë ujë gjatë ditës nëse dëshironi të mbani gojën të shëndetshme. Uji do të rrisë prodhimin e pështymës duke evituar tharjen e gojës që ju bën më të prirur ndaj dëmtimit të dhëmbëve.
  • Mundohuni të shmangni pijet dhe ushqimet me sheqer sa më shumë që të mundeni.

Në Përfundim

Ruajtja e shëndetit të dhëmbëve është thelbësore për mirëqenien tuaj të përgjithshme. Kuptimi i shkaqeve të prishjes së dhëmbëve, identifikimi i faktorëve të rrezikut dhe marrja e masave parandaluese janë faktorët kryesor për të ruajtur shëndetin e dhëmbëve tuaj për shumë vite. Për të shmangur kavitetet, është e rëndësishme të minimizoni konsumimin e sheqerit, të përdorni pastë dhëmbësh me fluor, të përdorni fill dentar rregullisht dhe të keni një dietë të pasur me lëndë ushqyese.

Kontrollet rutinë dentare janë të domosdoshme për të identifikuar problemet e mundshme përpara se ato të përkeqësohen. Varësisht nga shkalla e prishjes së dhëmbëve, ne kemi disa opsione trajtimi të disponueshme në klinikën tonë. Ekipi ynë i ekspertëve është gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që mund të keni në lidhje me shëndetin oral dhe për t’ju ofruar këshilla dhe trajtime të cilësisë së lartë. Caktoni një konsultë tek City Dental Clinic dhe ne do të jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë të kujdeseni për dhëmbët tuaj dhe të shmangni formimin e kaviteteve.

Tabela Përmbledhëse