Efektet e Bulimisë Tek Dhëmbët

Bulimia nervosa është një çrregullim psikologjik i lidhur me ngrënien e pakontrolluar në mënyrë të tepërt, e më pas me nxjerrjen e saj në mënyra të ndryshme si e vjella e qëllimshme në përpjekje për të mos shtuar peshë. Ky çrregullim prek si shëndetin fizik ashtu edhe atë mendor duke ndikuar në jetën tuaj të përditshme. Acidet e stomakut që krijohen gjatë të vjellave mund të dëmtojnë smaltin e dhëmbëve duke çuar në probleme të mëtejshme dentare si ndjeshmëria ose dobësimi i dhëmbëve, dhe kavitetet. Diagnostikimi i hershëm mund të jetë vendimtar në proçesin e rikuperimit dhe mund të minimizojë mundësinë e krijimit të problemeve afatgjata në shëndetin tuaj. Në këtë blog, ne do të flasim për shkaqet, simptomat dhe rëndësinë e trajtimit të duhur të këtij çrregullimi psikologjik. 

Foto qe ilustron bulimine

Çfarë është bulimia?

Bulimia klasifikohet si çrregullim psikologjik i të ngrënit. Ky çrregullim psikologjik karakterizohet nga episode të shpeshta të ngrënies së tepërt, dhe pasohet nga të vjella të detyruara për të parandaluar shtimin në peshë. Zakonisht kjo ndodh për shkak të problemeve me vetëbesimin e ulët dhe problemeve me peshën. 

Bulimia karakterizohet nga këto episode:

  • Ngrenia e tepërt për një periudhë të shkurtër kohore.
  • Paaftësia për të kontrolluar sasinë e ushqimit që konsumoni.
  • Mos shijimi i ushqimit.
  • Ndjeheni keq pas ngrënies.

Praktikimi i mënyrave ekstreme për të parandaluar shtimin e peshës, të cilat mund të përfshijnë:

  • Vjellje të qëllimshme.
  • Përdorimi i papërshtatshëm i laksativëve, diuretikëve ose medikamenteve të tjera të këtij lloji.
  • Agjërimi për një kohë të gjatë.
  • Ushtrime të tepërta për të humbur peshë.

Mesatarisht, këto episode duhet të ndodhin një ose më shumë herë në javë për tre muaj që problemi të klasifikohet si bulimia nervosa. Pasi pacienti të diagnostikohet me këtë çrregullim, psikiatri do të përcaktojë se në çfarë niveli ka avancuar problemi për ta trajtuar atë në mënyrën e duhur. 

Efektet e bulimisë në trup

Bulimia nervosa mund të ndikojë si në shëndetin fizik ashtu edhe atë mendor. Disa nga efektet e saj përfshijnë:

  • Rrahje jonormale të zemrës.
  • Probleme me zemrën dhe ngërçet e muskujve.
  • Dhimbje dhe probleme me tretjen.
  • Vështirësi në fokusim dhe pagjumësi.
  • Marramendje të shpeshta.
  • Fryrje e tepërt.
  • Hipotermia.
  • Apnea e gjumit e cila ndodh kur trupi ndalon frymëmarrjen gjatë gjumit.
  • Stomak ose ezofag i dëmtuar.
  • Inflamacion i pankreasit.
  • Prodhimi i ulët i hormoneve i cili çon në probleme me menstruacionet ose kocka të dobëta dhe të brishta.
  • Metabolizëm i dobët.
  • Mundësia e dështimit të veshkave.
  • Kequshqyerja. 

Përveç këtyre efekteve negative, bulimia nervosa gjithashtu ka një ndikim të madh në higjienën orale. Siç e përmendëm dhe më parë, të vjellat e shpeshta mund të çojnë në disa probleme si; erozioni i dhëmbëve, ndjeshmëria dhe dhimbja e tyre, xerostomia (goja e thatë), dhe gjithashtu rrit rrezikun e kaviteteve dhe sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve.

Foto qe ilustron efektet e bulimise tek dhembet

Efektet e bulimisë tek dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve

Disa studime tregojnë se njerëzit që diagnostikohen me bulimi kanë më shumë gjasa të vuajnë nga erozioni i dhëmbëve në krahasim me individët e shëndetshëm. Kjo ndodh për shkak se acidet e stomakut gërryejn smaltin, e cila është shtresa e jashtme e dhëmbëve që shërben si mbrojtës për ta. Për më tepër, nëse smalti dëmtohet ai mund të sjellë disa probleme të tjera, si ndjeshmëria e dhëmbëve, reçesioni i mishrave të dhëmbëve, ulçera, etj. Gjithashtu larja e dhëmbëve direkt pas të vjellave mund ti dëmtojë ata edhe më shumë.

Efektet e bulimisë tek gjëndrat e pështymës

Siç dihet, pështyma ndihmon në shumë proçese të gojës siç është neutralizimi i acideve të gojës dhe shërben si një mbrojtës i dhëmbëve nga dëmtimet acidike. Thënë kështu, një tjetër efekt anësor i të vjellave të shpeshta është zmadhimi i gjëndrave të pështymës, gjë që çon në zvogëlimin e prodhimit të sasisë së saj. Njerëzit e diagnostikuar me bulimia nervosa gjithashtu vuajnë nga dehidratimi, i cili vjen nga mos konsumimi i ujit, nga të vjellat ose nga ushtrimet fizike dhe ky problem mund të përkeqësoj erozionin e dhëmbëve dhe të shkaktojë kserostominë.

Krijimi i kaviteteve

Personat e diagnostikuar me bulimi zakonisht zgjedhin ushqime jo të shëndetshme me sasi të lartë sheqeri. Siç thamë edhe më parë, ata kanë tendencën të konsumojnë një sasi të madhe ushqimi për një periudhë të shkurtër kohore. Konsumimi i karbohidrateve dhe ushqimeve që përmbajnë shumë sheqer kontribuon në zhvillimin e kaviteteve dhe erozionit të dhëmbëve. Studimet tregojnë se mesatarisht njerëzit që vuajn nga bulimia i konsumojnë këto ushqime 21% më shumë se individët e tjerë.

Foto qe ilustron viziten tek dentisti per efektet e bulimise tek dhembet

Shenjat e bulimisë në dhëmbë

Vjellja e qëllimshme është një nga sjelljet më të zakonshme të individëve të cilët vuajn nga bulimia. Kjo mund të shkaktojë probleme të mëdha me shëndetin e dhëmbëve. Nëse të vjellat zgjasin për 6 muaj ose më shumë, dhëmbët do të demtohen, prandaj dentistët janë të parët të cilët mund të dallojnë shenjat e këtij çrregullimi tek pacientët e tyre. Disa nga simptomat më të zakonshme të bulimisë tek dhëmbët janë:

  • Çngjyrosje në dhëmbë. Nëse smalti gërryhet ndodh ekspozimi i dentinës dhe si pasoj e kësaj dhëmbët do të fillojnë të marrin një ngjyrë të verdhë, portokalli apo edhe të zezë.
  • Erozioni i smaltit. Dhëmbët fillojnë të bëhen transparentë dhe të dobsohen kur smalti fillon të gërryhet. Gjithashtu ata do të bëhen më të ndjeshëm gjë që mund të rezultojë në plasaritjen e tyre.
  • Ndjeshmëri e lartë në dhëmbë dhe në mishrat e tyre. Dhëmbët mund të bëhen më të ndjeshëm ndaj ushqimeve ose pijeve të ftohta dhe të nxehta dhe kjo mund të irritojë dhe dëmtojë mishrat e tyre.
  • Goja dhe buzët e thata. Dehidratimi dhe prodhimi i ulët i pështymës do të çojnë në kruarje dhe plasaritje të buzëve.
  • Pamja e dhëmbëve ndryshon. Dhëmbët mund të plasariten dhe dëmtohen më lehtë.
  • Fryrje ose ënjtje e nofullës: Ënjtja e gjëndrave të pështymës mund të shkaktojë fryrje të nofullës. 

Foto qe ilustron konsulten me mjekun per rikuperimin nga bulimia

Proçesi i rikuperimit

Nëse jeni diagnostikuar me bulimi dhe filloni të shihni probleme në shëndetin tuaj oral, mos kini turp të kërkoni ndihmë. Dentisti juaj do t’ju japë informacionin e nevojshëm dhe do të përpiqet të parandalojë çdo dëm të mundshëm që mund t’i ndodhë dhëmbëve tuaj.

Bulimia ka nevojë për një sërë trajtimesh të ndryshme për tu kuruar siç duhet. Duke qenë se konsiderohet një çrregullim psikologjik i të ngrënit, fiilimisht do të nevojitet ndihma e një psikoterapisti. Në disa raste ndihma e një nutricionisti dhe përdorimi i medikamenteve do të jenë të nevojshme gjithashtu. Ashtu si me çdo sëmundje tjetër, diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm do të rrisë shanset e shërimit të saj.

Si mund të ndihmojë dentisti juaj

Dentistët mund të trajtojnë çdo problem që ndodh në gojën tuaj, nga problemet e vogla deri te ato më të mëdha. Ata do të japin këshillat dhe mjekimet e nevojshme që do të ndihmojnë në forcimin e smaltit të dhëmbëve dhe trajtimin e tharjes së gojës. Në rastet e tjera kur dëmi është bërë, ata do të ofrojnë një plan trajtimi të personalizuar për të trajtuar këtë problem.

Studimet tregojnë se pacientët të cilët janë diagnostikuar me bulimi rrallë herë e diskutojnë këtë problem me dentistin e tyre, por duhet të dini se edhe nëse nuk ua tregoni, ata do të jenë të parët që do të vërejnë shenjat e të vjellave në dhëmbë. Gjithashtu dentisti juaj do tju ofroj informacion të mjaftueshëm se si të minimizoni dëmet e mëtejshme dhe si të ruani dhëmbët tuaj nga ky çrregullim.

Trajtimi i bulimisë në kushte shtëpie

Diagnostifikimi me bulimia nervosa është i vështirë dhe po ashtu është edhe proçesi i rikuperimit të tij. Megjithatë, ka disa masa të thjeshta që mund të merrni parasysh ti bëni në kushte shtëpie për të përmirësuar gjëndjen dhe për të parandaluar dëmin e mundshëm në dhëmbët tuaj. Disa nga këto janë:

  • Pas të vjellave, shpëlajeni gojën me ujë. 
  • Mos i lani dhëmbët menjëherë pas të vjellave.
  • Lani dhëmbët dy herë në ditë dhe përdorni fillin dentar në mënyrë të rregullt..
  • Bëni vizita të shpeshta te dentisti.
  • Pini shume ujë.
  • Shmangni konsumimin e pijeve dhe ushqimeve me sheqer.
  • Përdorni çamçakëz pa sheqer.

Foto qe ilustron nje dentist ne Shqiperi

Pyetjet e bëra më shpesh

A mund ta dallojnë dentistët nëse vuani nga bulimia?

Shumica e dentistëve të cilët kanë trajtimin e duhur do të dallojnë shenjat e para të pacientëve që vjellin shpesh. Megjithatë, identifikimi i problemeve që shkaktojnë çrregullimet e të ngrënit nuk mund të bëhet nga çdokush pasi është një proçes mjaft i vështirë. 

Cilat janë shenjat më të dukshme të bulimisë në dhëmbë?

Efektet e bulimisë në dhëmbë fillojnë të shfaqen pas 6 muajsh. Shenjat më të zakonshme që shkakton erozioni i dhëmbëve janë: zvogëlimi i shkëlqimit, thyerja, pamja e dëmtuar dhe zverdhja e tyre.

Kur fillon bulimia të ndikoj dhëmbët?

Bulimia nervosa rrit rrezikun e kaviteteve, i bën dhëmbët më të ndjeshëm ndaj ushqimeve të ftohta dhe të nxehta, shkakton tharje të gojës, dobëson smaltin dhe fryn gjëndrat e pështymës. Të gjitha këto simptoma do të fillojnë të zhvillohen dhe të vërehen brenda 6 muajsh.

A mund të parandalohen efektet e bulimisë tek dhëmbët?

Të gjitha efektet negative që të vjellat e shpeshta do t’u shkaktojnë dhëmbëve, nuk mund të parandalohen. Megjithatë pirja e ujit ose shtimi i sodës së bukës në një filxhan me ujë për shpëlarje mund të jetë e dobishme. Menjëherë pas të vjellave, dentisti do t’ju rekomandojë të përdorni vetëm shpëlarës goje dhe të mos i lani dhëmbët. Dëmtimi i mëtejshëm i dhëmbëve parandalohet vetëm me trajtimin e këtij çrregullimi.

Cilët dhëmbë preken më shumë nga bulimia?

Pacientët të cilët vuajn nga bulimia mund të përjetojnë hemorragji të vogla nën lëkurën e qiellzës dhe dhimbje të vazhdueshme të fytit. Smalti i dhëmbit tuaj mund të dëmtohet nga të vjellat e shpeshta, veçanërisht në dhëmbët e sipërm të përparmë. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun e prishjes së tyre dhe mund t’i bëjë këta dhëmbë shumë sensitiv ndaj temperaturave të larta dhe të ulëta.

Tabela Përmbledhëse